Kthehu pas
01.04.2016

Vizita e delegacionit të Shqipërisë në KPMM – Prishtinë

Me ftesë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, që nga dje për vizitë pune në Kosovë po qëndron zëvendës ministri i Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë z. Gëzim Musabelliu me bashkëpunëtorë.
Në ditën e parë të vizitës delegacioni i Shqipërisë i prirë nga z. Musabelliu zhvilloi një takim në KPMM, ku u prit nga Bordi dhe drejtori i KPMM-së.

Kryesuesi i Bordit të KPMM-së z. Musa Shabani e njoftoi delegacionin e Shqipërisë lidhur me aktivitetet aktuale të KPMM-së, sfidat dhe vizionin zhvillimor të KPMM-së dhe të sektorit minerar të Kosovës.

Gjatë diskutimeve të të dyja delegacioneve, u theksua se është e nevojshme thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, jo vetëm në formën e shkëmbimit të përvojave por edhe me projekte konkrete gjeologo-minerare si dhe promovimit të sektorit minerar në botë nga përfaqësitë diplomatike të të dyja vendeve me një intensitet më të lartë.

Delegacioni në vazhdim zhvilloi një vizitë në minierat e linjitit në Mirash,  kurse ditën e dytë do të zhvillojë takime në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe më pas do të takohet me menaxhmentin e Trepçës për tu njoftuar mbi gjendjen aktuale të Kompleksit Trepça. Në të gjitha takimet delegacionin nga Shqipëria po e shoqërojnë përfaqësuesit e KPMM-së.
Duhet theksuar se KPMM në vitin 2014 ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Agjensionin Kombëtar të Burimeve Natyrore të Republikës së Shqipërisë, dhe pret që në të ardhmën ky bashkëpunim të thellohet në formën e projekteve konkrete.