Kthehu pas
21.05.2019

Raporti i punës para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal

Prishtinë – 21 Maj 2019

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, raportoi para Komisionit për punën gjatë vitit 2018. Në fjalën hyrëse Kryesues i Bordit të KPMM-së, Z. Musa Shabani njoftoi të pranishmit për përmbajtjen e Raportit të punës së KPMM-së gjatë vitit 2018 të përpiluar mbi bazën e formatit për raportimin e Agjencive të Pavarura në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Raporti është përmbledhje dhe pasqyrë e punës së KPMM-së gjatë vitit 2018, me të dhëna të hollësishme mbi industrinë minerare të Repuplikës së Kosovës. Po ashtu Raporti përmban punën dhe aktivitetin e bërë në fushat e hulumtimit, shfrytëzimit, përpunimit, rezultatet e arritura gjatë vitit 2018, problemet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky rregullator gjatë punës së vet, si dhe objektivat për të ardhmen. Ndër të tjera Z. Shabani paraqiti në shifra shqyrtimin e kërkesave-aplikacioneve për hulumtim, shfrytëzim dhe aktivitete të veçanta. Inspektimet në terren arrijnë shifrën 1710, me q`rast ato të veprimeve ilegale janë përcjellur me 91 kallëzime penale në prokuroritë kompetente tha ndër të tjera ai. Bashkëpunimin me MZHE-në, MTI-në, MMPH-në, Inspektorët e Komunave, Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë e paraqiti si faktor i rëndësishëm në suksesin e KPMM-së. Organizimi i Konferencës Kosovë-Shqipëri, të mbajtur në Prishtinë ishte i rëndësisë së veçantë pasi aty morën pjesë përfaqësues nga bizneset dhe institucionet nga shtetet tjera si SHBA-ja, Kanada, Gjermania, Italia, Maqedonia, Turqia, Mali i Zi etj. Sfidë në të ardhmen mbetet reformimi i sektorit minerar, aprovimi i Ligjit të ri për Miniera dhe Minerale Si dhe objektiva të parapara në të ardhmen, mund të veçojmë:

  • Ngritja e kualitetit dhe sigurisë në punë në operimet minerare
  • Vonesat në trajtimin me kohë të lëndëve të paraqitura në gjykata.
  • Problemet me ekonominë jo formale në sektorin minerar dhe bashkëpunimi ndër institucional.
  • Borxhet e vjetra ndaj KPMM-së
  • Realizimi i Planit për Menaxhimin e Resurseve Minerale.

Kryetarja e Komisionit Znj. Sala Berisha Shala u shpreh se Ligji ka kaluar edhe në dëgjimin e dytë në Kuvend dhe duhet të amandamentohet, pasi që është shumë më i avancuar. Ajo ishte e interesuar për respektimin e kohëzgjatjes së licencave të hulumtimit, kërkesat e refuzuara për licencim, ngecjen e dhënjes së licencave të shfrytëzimit për minerale metalike dhe a është e mjaftueshme korniza ligjore në parandalimin e operimeve ilegale dhe zhvillimin e sektorit minerar. Kryesuesi i Bordit të KPMM-së e njoftoi se kohëzgjatja e licecave respektohet dhe ndër të tjera potencoi se ka nevojë që Ligji të reformohet, pasi që kjo do të ndikoj në rritjen e të Hyrave dhe punësimin. Ligji i ri do ti lehtësoj procedurat e licencimit.

Dardan Sejdiu , deputet i Kuvendit të Kosovës pyeti në lidhje me veprimet ilegale , ku janë më të theksuara dhe lënda minerare, me ç`rast përgjigjeja ishte se ato ndodhin në regjionet që kanë lumenj (rërë dhe zhavorr), pra në Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Kamenicë.

Memli Krasniqi u interesua në lidhje me jo krijimin e One Stop Shop si zyrë ndihmëse për licencimin e ndërmarrjeve, në kuadër të KPMM-së dhe kohëzgjatjen e limituar e lejeve të shfrytëzimit nga APK-ja si dhe mundësinë e gjendjes së zgjidhjes mes KPMM-së, Agjencionit të Pyjeve derisa të miratohet Ligji.

Kryesuesi i Bordit, z. Musa Shabani theksoi se miratimi i Ligjit do të ndihmoj në krijimin e kësaj zyre, pasi që KPMM-ja nuk lëshon licenca pa Lejen e Kuvendeve Komunale dhe MMPH-së. Pra, afati i kohëzgjatjes së lejeve nga APK-ja nuk përputhet me ate të licencave të lëshuara nga KPMM-ja si dhe sipërfaqja e kufizuar me Udhëzim Administrativ (pesë hektar) nuk është e përshtatshme për investitorët e mundshëm.

Znj. Sala Berisha Shala pyeti ndër të tjera për zonat e interesit, për të cilat u njoftua nga Z.Shabani se Qeveria nuk ka lëshuar deri më sot asnjë licencë dhe KPMM-ja nuk e ka mundësinë ligjore të licencoj në këto zona (gjithsejt njëmbëdhjetë).

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale do të vazhdojë me intensitet edhe më të shtuar gjatë vitit 2019, t`i përkrahë dhe mbështes në çdo aspekt të gjithë ata që merren ose pretendojnë të merren me industrinë minerare, njëkohësisht do t’i ndaloj, këshilloj dhe përmirësoj të gjithë ata që bien në kundërshtim me Ligjin dhe rregullat në fuqi për sektorin minerar u shpreh më në fund Z. Shabani.