Kthehu pas
21.12.2017

KONFERENCË PËR MEDIA PËR VITIN 2017

Data: 21.12.2017,

 Komisioni i Pavarur Për Miniera dhe Minerale, sot ka mbajtur konferencë për media ku u prezantuan sfidat dhe të arriturat gjatë vitit 2017.

Kryesuesi i Bordit Musa Shabani para mediave theksoi që Kosova është vend i njohur me rezerva të mineraleve energjetike, metalore, industriale dhe mineraleve ndërtimore. Por, për shkak të rrethanave të krijimit të shtetit si dhe Ligjeve për funksionimin e tij ende po punohet për tu gjetur mënyra më e mirë për valorizimin e tyre. Vazhdimisht është theksuar se sektori minerar është njëri ndër sektorët më kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit, mirëpo edhe përkundër disa të arriturave të  vazhdueshme, ende nuk është arritur që ky sektor të kontribuojë në masën e dëshirueshme në zhvillimin ekonomik të vendit.

Po ashtu, u theksua që për mineralet energjetike nuk ka një bazë ligjore adekuate për ta nxitur shfrytëzimin e këtij resursi – Me Ligjin për Miniera dhe Minerale përveç shfrytëzimit të linjitit për nevojat e prodhimit të energjisë elektrike për furnizim të Kosovës, ka edhe një mundësi që licencat për minerale energjetike të lëshohen përmes një procedure tenderuese që ka rezultuar të jetë shumë e komplikuar. Ndërkaq sa i përket mineraleve metalike, KPMM-ja ka lëshuar 56  licenca për hulumtimin e mineraleve metalore, ku vetëm 7 licenca janë aktive për shfrytëzimin e mineraleve metalore. Katër prej tyre janë licencat e Trepcës, dy të Newco Ferronikel-it dhe një licencë për krom. Për dallim nga shfrytëzimi i mineraleve metalike dhe mineraleve energjetike, shfrytëzimi i mineraleve ndërtimore dhe industriale ka shënuar një rritje me dinamikë të lartë duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës  rrugore dhe ndërtimin e vendit. KPMM ka lëshuar 146 licenca për shfrytëzim të gurit të forte, 15 licenca për minerale industriale dhe 20 Licenca për shfrytëzimin e rërës dhe zhavorrit.

Si sfida reale dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejt  në krijimin e stabilitetit të sektorit minerar dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit minerar mbeten:

  1. Statusi i Trepçës.
  2. Zonat me Interes të Veçantë të shpallura nga Qeveria.
  3. Mineralet energjetike – linjiti – mungesa e bazës ligjore adekuate për të nxitur shfrytëzimin e këtij resursi.
  4. Problemet me ekonomin joformale në sektorin minerar mbetet sfidë për Inspektoratin e KPMM-së. Sipas vlerësimeve tona impakti i saj në sektorin e minierave është më pak se 10%, mirëpo mbetet sfidë lufta dhe bashkëpunimi ndërinstitucional për parandalimin dhe ndalimin e ekonomisë joformale në sektorin minerar. KPMM-ja këtë vit ka bërë mbi 70 denoncime dhe kallëzime penale ne organet e drejtësisë lidhur me këtë dukuri.

Kryesuesi Shabani, para mediave tha që KPMM ka arritur të realizoj planifikimin e të hyrave ku deri më tani janë inkasuar 30,925,024.07€ si rezultat i bashkëpunimit me përfaqësuesit e ndërmarrjeve. Sa i përket borxheve, KPMM-ja që nga themelimi i sajë është ballafaquar edhe me një dukuri jo të mirë, atë të rentës minerare . Shumë biznese të licencuara nuk po arrijnë ti shlyejnë obligimet e pagimit të rentës minerare, gjë e cila po krijon borxhe ndaj KPMM-së rrjedhimisht ndaj shtetit të Kosovës.

Pothuajse gjysma e borxhit të përgjithshëm të bizneseve ndaj KPMM-së është borxhi i Trepçës. Jemi të detyruar që ndaj shumë kompanive të iniciojmë edhe procedura gjyqësore për mbledhjen e borxhit.

Dhe krejt në fund u potencua se nga ajo që ishte dje, sot sektori i minierave në Kosovë është në një nivel më të avancuar dhe më të zhvilluar, përkundër shumë vështirësive që kemi. Po, punohet pandalshëm në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e biznesit, e me këtë edhe të sektorit minerar, që të krijohet një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, i cili do të jetë në shërbim të mirëqenies sonë dhe do të krijoj kushte edhe më të mira për brezat që do të vijnë pas.