Kthehu pas
29.12.2020

Komunikatë për Media

Prishtinë – 29 dhjetor 2020

                                                     Komunikata e fund vitit e KPMM-së

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM është agjenci e pavarur e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. KPMM rregullon aktivitetet minerare në Kosovë në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr.04/L-158 (tash e tutje LMM), me aktet nënligjore të nxjerra në përputhje me këtë ligj, dhe Strategjinë Minerare. KPMM vepron në interes të publikut dhe i ushtron në mënyrë të pavarur kompetencat dhe funksionet të cilat i janë dhënë sipas LMM-së. KPMM mbikëqyret nga Bordi i cili përbëhet prej 5 anëtarëve, të cilët sipas legjislacionit në fuqi kanë mandat 5 (pesë) vjeçar. Me pjesën ekzekutive të KPMM-së udhëheq Drejtori i cili ka mandat 3 (tre) vjeçar. Struktura dhe stafi tjetër i KPMM-së, përbëhet nga departamentet kryesore me staf profesional dhe njësitë tjera mbështetëse me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara.

Viti 2020 ka qenë sfidues për të gjitha institucionet, bizneset, ndërmarrjet e ndryshme, po ashtu edhe për KPMM-në, kjo për shkak të përballjes me situatën e jashtëzakonshme me pandeminë Covid-19.

KPMM-ja përveç zbatimit të legjislacionit minerar, këtë vit është përkushtuar edhe në zbatimin e politikave qeveritare që ndërlidhen me gjendjen e krijuar nga pandemi, në përputhje me të gjitha vendimet e qeverisë.

Gjatë vitit 2020 janë mbajtur gjithsejtë 15 takime të Bordit, përkatësisht nga periudha janar-gusht deri në përfundimin e mandatit të katër anëtarëve të Bordit, pa të cilët nuk kishte kuorum të mjaftueshëm.

Katër anëtaret e Bordit të KPMM-së kanë përfunduar mandatin e tyre më datë 06 gusht 2020, përfshirë edhe Kryesuesin e Bordit z. Musa Shabani, ndërsa është marrë vendim që u.d i kryesuesit të Bordit të jetë z. Avdi Konjuhi, i cili është edhe aktualisht.

Bordit i Komisionit te Pavarur për Miniera dhe Minerale, konform situatës se krijuar nga pandemia, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, me ç‘rast janë ndërmarr masat e nevojshme mbrojtëse, si dhe në mbledhjen e mbajtur me datë 15.03.2020, morri vendim për krijimin e shtabit emergjent. Me këtë rast është lejuar zhvillimi i punës nën masa dhe kujdes maksimal dhe me staf të reduktuar, sipas Vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në mbledhjen e mbajtur me datë 27.04.2020, Bordit i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale morri vendim në shtyrjen deri më datë 31.05.2020 pagesat e obligimeve financiare të ndërmarrjeve në KPMM, ku më pas, nga ministria e financave, është marrë vendim për zgjatjen e afatit të pagesave deri me 30 qershor 2020, ku është zbatuar edhe nga KPMM-ja.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për zhvillimin e sektorit minerarë, ende ka sfida që duhet eliminuar përmes bashkëveprimit ndërinstitucional, zvogëlimin e burokracisë, rritjen e transparencës, llogaridhënies etj.

Lejet dhe licencat në KPMM gjatë 2020

KPMM-ja aktualisht menaxhon me 699 subjekte minerare nga të cilat 149 janë Licenca të Hulumtimit, 227 Licenca të Shfrytëzimit dhe 323 Leje për Aktivitete të Veçanta.

Gjatë vitit 2020 janë lëshuar gjithsej 167 licenca dhe leje, nga këto 63 Licenca të Hulumtimit, 67 Licenca të Shfrytëzimit si dhe 37 Leje për Aktivitete të Veçanta.

Licenca të mbyllura për shkak të humbjes së kritereve sipas Ligjit për Miniera dhe Miniera janë 4 Licenca të Hulumtimit dhe 12 Licenca të Shfrytëzimit.

Gjatë vitit 2020 janë shqyrtuar edhe aplikacionet  për mbylljen e licencave pas skadimit të afatit të shfrytëzimit.

Numri i licencave për ri-kultivim dhe mbyllura është 4;

Numri i licencave të cilave u është vazhduar licenca është 16;

Numri i licencave që i është vazhduar garancioni 6 der12 muaj është 4;

Licencat në procedura për mbyllje janë 2 licenca;

Në total janë 26 licenca në ri-kultivim dhe mbyllje.

Inspektimet në terren

Gjatë vitit 2020, nga inspektorati i KPMM-së ka vazhduar në kontrollimin e operimeve ilegale të cila kanë vazhduar të ndodhin edhe këtë vit, ku, janë evidentuar gjithsejtë 59 operime ilegale të jashtëligjshme.

Kërkesat për minime masive dhe transfere gjithsejtë janë 550 ndërsa, lejet për minime masive gjithsejtë janë 511.

Minimet e realizuar te ndara në sipërfaqësorë dhe nëntokësore për vitin 2020 janë:

 

Leje për aktivitete te Veçanta-Leje minimi masiv në Miniera Sipërfaqësore 427;

Leje për aktivitete te Veçanta-Leje minimi masiv në Miniera Nëntokësore 73;

Leje për aktivitete te Veçanta-Leje minimi masiv në Miniera Sipërfaqësore të Anuluara janë 12.

Sasia e resursit te minuar për vitin 2020 është 5,976,561.40 m 3, ndërsa, numri i raporteve për operime te jashtëligjshme për vitin 2020 është 59 .
Gjatë vitit 2020 janë evidentuar lëndimet të cilat kanë ndodhur në minierat në nivele të vendit, ku prej tyre 41 kanë qenë me lëndime të lehta, ndërsa 4 kanë qenë me fatalitet.

KPMM-ja gjatë vitit 2020 ka përcjellë në prokurori 50 kallëzime penale kundër operuesve ilegal në sektorin e minierave, 67 gjoba administrative për operime ilegale dhe 59 propozime për përmbarim. Në vitin 2020 janë pranuar 40 ankesa, nga të cilat janë marr vendime për 18 ankesa sa ishte Bordi prezent. Te gjithë ankuesit kanë pranuar njoftim se për shkak të mungesës së kuorumit të Bordit ankesat e tyre nuk munde të shqyrtohen.

Komisioni për shqyrtimin e kërkesave dhe parashtresave deri tani i ka të evidentuar 52 kërkesa dhe prej tyre janë shqyrtuar 50 dhe ju kanë kthyer përgjigjeje, kurse dy janë në procedura të shqyrtimit.

Të hyrat për vitin 2020

Që nga fillimi i punës së vetë si agjenci e pavarur, KPMM-ja nga viti në vit ka shënuar progres në rritjen e të hyrave nga renta minerare, kjo si një indikator që tregon rritjen e investimeve në sektorin minerar. Nga 30,150,000.00 € sa kanë qenë të planifikuara të hyra për vitin 2020, janë inkasuar 29,715,108.79 € (apo shprehur në përqindje 98.56%).

Objektivat 2020

KPMM, parasheh që të rris efikasitetin dhe efektivitetin e detyrave dhe përgjegjësive të veta duke vazhduar përmes ngritjes së sistemit të kontrollit të brendshëm dhe të qeverisjes në përgjithësi dhe objektivave të caktuara në veçanti:

  • Implementimi i Legjislacionit minerar, politikave dhe strategjisë minerare;
  • Licencimi i ndërmarrjeve minerare në harmoni me LMM, planin për menaxhimin e resurseve minerale, strategjinë minerare dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i resurseve minerale;
  • Monitorimi , inspektimi si dhe zbatimi i të gjitha Ligjeve që ndërlidhen me sektorin minerarë nga ana e ndërmarrjeve të licencuara, si dhe zbatimi i Planit të veprimit për parandalimin dhe ndalimin e operuesve të jashtëligjshëm;
  • Tërheqja e Investitorëve përmes promovimeve të potencialit minerarë që ka dhe ofron Kosova;
  • Ngritja e nivelit të transparencës, komunikimit dhe avancimi i sistemit të teknologjisë informative për të mundësuar punë më efikase në KPMM dhe ofrim të shërbimeve për investitorët, kompanitë dhe qytetarët;
  • Parandalimi dhe ndalimi i ekonomisë joformale në fushën e Minierave.

Sfidat në të ardhmen

Duke marr parasysh të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me LMM-në dhe rregullat tjera në përgjithësi, në njërën anë ndërmarrjen e aktiviteteve për zbatimin e tyre në praktikë dhe konceptet mbi trendët zhvillimore për këtë fushë, mund të konsiderojmë si sfidë të veçantë për institucionet e RKS-së dhe gjithsesi sfidë për vet KPMM-në.

Si sfida për arritjen e objektivave të parapara në të ardhmen, ne mund të veçojmë:

  • Miratimi i Ligjit për Miniera dhe Minerale (me ndryshime) do të krijoj siguri dhe lehtësime për kompanitë e interesuara për investime në sektorin minerarë në Republikën e Kosovës;
  • Parandalimi i ekonomisë joformale (parandalimi dhe ndalimi i aktiviteteve minerare të jashtëligjshme, operimeve ilegale) si dhe sekuestrimi i mjeteve dhe lëndëve minerale të tyre;
  • Ngritja e kualitetit dhe sigurisë në punë në operimet minerare. Edhe pse funksionimi i sektorit minerar në Kosovë shoqërohet me siguri të mirë, prapë se prapë për Inspektoratin e Minierave mbetet sfidë që në bashkëpunim me institucionet relevante të përvetësojë dhe zbatoj standardet teknike dhe të sigurisë që zbatohen në vendet e BE-së;
  • Mostrajtimi në kohë i lëndëve të paraqitura në gjykata. Sanksionet Penale të shqiptuara nga Gjykatat nuk po e arrijnë efektin e parandalimit të operimeve të jashtëligjshme;
  • Hartimin dhe aprovimin e akteve nënligjore të nevojshme dhe domosdoshme për implementimin e LMM-së;
  • Implementimi i vazhdueshëm i aktiviteteve që rrjedhin nga zbatimi i Strategjisë minerare dhe Planit për Menaxhimin e Resurseve Minerale;
  • Implementimi i vazhdueshëm i aktiviteteve që rrjedhin nga zbatimi i politikave minerare;
  • Implementimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike –COVID – 19.

Me respekt

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale

Tel:   +383 (0) 38 240 252

Fax:  +383 (0) 38245 844

E-mail: icmm@kosovo-mining.org

Web:   www.kosovo-mining.org

Adresa: Armend Daci Nr.1

Prishtinë, Republika e Kosovës